Muzikali me këngë e lojëra popullore rikthen traditën dhe nostalgjinë në skenë

Muzikali me këngë dhe lojëra popullore shqiptare çeli siparin e 15 projekteve artistike të përfituara nga grantet e “Heritage is Our Brand” të financuar Bashkimit Europian dhe të zbatuara nga DMO Albania dhe Eupolicy Hub.

Kompozitori Endri Muçaj solli për publikun e vogël, por edhe për nostalgjinë e prindërve, 12 këngë që shoqëruan 12 lojëra që loznin fëmijët dikur.

Shfaqja premierë u dha pasditen e 28 prillit në ambientet e Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë në një sallë të mbushur plot me fëmijë dhe prindër, të cilët shijuan një spektakël të vërtetë, duke rikthyer traditën e lojërave tona popullore.

Me pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Pjetër Budi dhe mësuesen e muzikës Elda Kuqja, fëmijët dhanë një shfaqje plot emocion përmes lojërave si: “Dembeli”, “Karamele Zana”, “Loja me Peta”, “Loja me Litar”, “Lule Dele”, “Shi shi Babashi” “Roza-rozina”, “Hapa dollapa”, “Kala dibrançe”, e të tjera, duke rikthyer frymën e traditës në një formë artistike bashkëkohore.

Kompozitori Endrit Muçaj është një nga fituesit e skemës së granteve të financuara nga Bashkimi Europian, i cili tregon sesi është frymëzuar nga lojërat popullore shqiptare për të krijuar 12 kompozime unike.

blo

“U përpoqëm të realizojmë një shfaqje të tillë për fëmijë nga disa numra muzikorë të krijuar nga unë dhe me bazën e disa lojërave të vjetra, që kanë luajtur fëmijët dikur. Në formë rikujtese i sollëm sot brenda këtij muzikali. Pikënisja ishte thirrja për këto projektet të cilët kishin në bazë trashëgiminë kulturore jo materiale dhe një ndër gjërat që zgjodha unë ishin lojrat e vjetra për fëmijë. Fillimisht nisi impakti nga loja Kala dibrançe dhe shumë lojëra të tjera të cilat fëmijët sot pothuajse kanë harruar dhe deshëm të bëjmë një rikujtesë. Po për ta ndërtuar këtë ndonjë shfaqje dhe për ta risjellë sa më bukur duhet t’i shtonim edhe elementet e tjerë. Numrave skenikë i vendosëm edhe muzikë të cilën unë u detyrova ta krijoj nga e para dhe kështu u bë një shfaqje komplet e ndërtuar si një shoë muzikor që ne i vendosëm një titull muzikal pasi si formë muzikal i përmbledh të gjitha këto”, tregon ai, teksa evidenton edhe vëhstirësitë gjatë procesit të punës.

“Ndër vështirësitë e para ishte përzgjedhja e numrave sepse normalisht jo çdo lojë mund të ishte e denjë për t’u vendosur në një skenë. U bë përzgjedhja, mundësitë që kishim për ta realizuar fëmijët, mundësitë skenike, minutazhi dhe u përpoqëm që nga pak të tregojmë diçka. Përpos argëtimit në një formë tjetër, publikut që sot janë prindër, ne në një farë mënyre i rikujtuam pak fëmijërinë e tyre, por nga ana tjetër çdo prind ka dëshirë që t’i shikojë fëmijët e vetë që të debutojnë në një skenë, në një shfaqje të bukur. Këta ishin artistë të mirëfilltë sot të gjithë”.

Mësuesja e muzikës në shkollën “Pjetër Budi”, Elda Kuqja e cila ndërtoi koeeografinë e 12 kompozimeve, tregon se ky muzikal është i pari në Shqipëri dhe që do mbetet ndër breza.

“Një muzikal që do mbetet edhe në brezat e rinj, sepse është hera e parë që shfaqet në Shqipëri. Me lojëra të ndryshme popullore nga numri i parë deri tek i 12-i dhe ishte i ndërthur me një koreografi e ndërtuar nga unë. Një lodhje por një kënaqësi shumë e madhe. Fëmijët u kënaqën në skenë. I luajtën lojëra reale në skenë. Pavarësisht se unë inskenova të gjithë situatën, nga numri i parë tek i fundit, ata luajtën me një lirshmëri saqë e përcollën te spektatori çdo lojë dhe u ndjenë sikur ishin vërtetë në poshtë lagjes apo para pallatit. Kala dibrançe që ishte një lojë shumë e veçantë dha një emocion shumë të madh në skenë për djemtë që janë shumë trazovaçë, mezi organizohen dhe ata e shijuan bashkë me publikun”.

Për drejtuesen e “Heritage is our Brand”, Eva Kushova nisja e eventeve të granteve me fëmijët është një kënaqësi dhe rëndësi e veçantë, sepse edhe synimi i këtij projekti është përcjellja e trashëgimisë sonë kulturore jo materiale te brezat e rinj

“Kemi një projekt të mbështetur nga Bashkimi Europian me të cilin duam të rrisim krenarinë kombëtare dhe të përcjellim të gjitha vlerat e trashëgimisë tonë shpirtërore, jo materiale tek brezat që vijnë. Synimi është që ne të mbështesim artistët. Ajo që patë sot në fokus kishte artistin, por ne e pamë që fokusi ishte tek fëmijët dhe pikërisht e nisëm me një shfaqje për fëmijët, sepse duam që ata të mësojnë më shumë rreth gjithçkaje të bukur që ne kemi pasur për t’u përcjellë si; lojërat, fëmijëria, esencën, trashëgimia, disa rite që kemi në shtëpi që nga kostumet, gjithçka të bukur që ne kemi, do donim t’ia përcillnim fëmijëve tanë, sepse ka të bëjë me përkatësinë tonë. Kush jemi, që kudo kohë ku ata të shkojnë nesër ta dinë se kujt i përkasin, çfarë të kaluare kanë patur e të tjera si këto. Pra, qëllimi ka qenë që ne të mbështesim artistët dhe sot ishte një vepër e artistit Endri Muçaj që ishte pikërisht ky kompozim me fëmijët e ku ka më bukur ta nisnim me fëmijët”

Ky aktivitet synon të afrojë brezat e rinj me kulturën popullore shqiptare, duke i njohur me lojërat që dikur luanin fëmijët në oborre, livadhe apo rrugicat e fshatrave dhe qyteteve. Përmes lojërave fëmijët bëhen më socialë, më të dashur, mençurohen dhe argëtohen.


Nga Librat e Dritës, dokumentar për Flinë në Kukës, Instalacion për xhubletën në Malësinë e Madhe, Mozaik i verës Baliska në Durrës, Instalacion për Fyejt e Gramshit apo instalacion lëvizës i vitrazhit në xham në Elbasan, Basorelief në Krujë për historinë e Grykës së Vajës, video projeksione si Gjama e Burrave, apo Xhamia e Gjin Aleksit, shfaqja teatrale Konstandini i Madh dhe E diela Pushim, novela grafike për fëmijë bazuar në 10 legjenda, apo koncert etno- jazz – janë produkte artistike unike që do të vijnë të frymëzuara nga historitë e projektit “Heritage is Our Brand” dhe që do të përmbyllen në 18 qershor 2026.

Pas më shumë se një viti punë, që përfshiu pyetësorin e të rinjve mbi njohjen e trashëgimisë kulturore jo materiale, te botimi në platformë i 40 historive të përmbledhura nga historianët e njohur, te financimi i 15 nismave krijuese, kemi mbërritur tashmë në krijimet artistike të “Heritage is our Brand”.

Më shumë rreth projektit: www.albaniaheritage.com