Regjisori dhe producenti Andamion Murataj ishte i ftuar në Podcastin e projektit “Heritage is Our Brand”, ku foli për filmin e animuar “Librat e Dritës”, një nga 15 grantet fituese të financuara nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe Eu Policy Hub.
Murataj u ndal te rëndësia e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare, duke theksuar se historitë e njohura deri më sot përbëjnë vetëm një pjesë të një pasurie shumë më të gjerë. Sipas tij, përtej monumenteve, kodikëve apo mbishkrimeve që ruhen në muze e site historike, ekziston një histori më e madhe sociale dhe kulturore që meriton të rrëfehet.
“Thesari ynë kulturor, jo vetëm material, por dhe ai shpirtëror dhe ai i të gjitha formave është shumë i thellë dhe është për të ardhur keq që deri më tani njihet vetëm ajo sipërfaqja e peshës së thesarit kulturor material dhe jo material shqiptar. Të gjitha këto historitë që janë në website-n e “Heritage is our Brand” janë maja e ajsbergut e historive të kulturës shqiptare”, tha ai.
Sipas kineastit ka ardhur momenti që histori si Kodikët e Beratit, histori e Skënderbeut, histori të tjera që janë edhe në platformën e Albania Heritage, qoftë edhe e mbishkrimeve të skllevërve në Butrint e të tjera, t’i mësojë gjithë bota.
Në fokus të bisedës ishin Kodikët e Beratit, të cilët frymëzuan filmin “Librat e Dritës”. Murataj theksoi se ruajtja e këtyre dorëshkrimeve përbën një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë shqiptare dhe europiane.
“Nuk ka një vend të dytë në botë që të ketë dy kodikë. Ne jemi vendi që kemi trashëgiminë letrare më pak, sepse kultura jonë ka qenë përgjithësisht verbale. Por si ka mundësi që ky popull paska ruajtur dy nga kodikët më të famshëm të botës, dy nga librat primordialë dhe një tjetër gjendet midis arbëreshëve në Kalabrisë, sepse është një i ritit bizantin midis arbëreshëve apo qoftë edhe grekoshqiptarëve që janë në Kalabrinë që është në jug të Italisë. Pra midis nesh ne kemi tre nga kodikët nga shtatë që janë në botë”, theksoi ai.
Ai shpjegoi se zgjedhja e animacionit dhe Inteligjencës Artificiale lidhet me synimin për t’iu drejtuar brezit të ri përmes mjeteve moderne. “Librat e Dritës”, sipas tij, synon të ngjallë kuriozitet dhe t’i nxisë të rinjtë të kërkojnë e zbulojnë më shumë rreth historisë së tyre.
“Mënyra më e mirë për të komunikuar me brezin e ri, sepse unë doja cila është një metodë moderne dhe kush është target audience. Domethënë ata kur marrin të gjithë historitë, një fëmijë ka animacionet dhe dua që tek ata të ngelë ky animacion dhe të ngjallë një kuriozitet që të gërmohet më tepër dhe zgjodha ta bëjmë inteligjencë artificiale sepse në qoftë se po flasim për në shekullin XXI do flasim me mjetet më avangardë”, sqaroi kineasti.
Murataj bëri të ditur gjithashtu se po punon mbi projekte të tjera që trajtojnë tema të trashëgimisë dhe identitetit shqiptar, përfshirë një film mbi burrneshat dhe një tjetër që trajton problemin e depopullimit të zonave rurale.
Ai u bëri thirrje të rinjve të krijojnë dhe të rrëfejnë historitë e tyre, duke e konsideruar këtë si një hap të rëndësishëm për të sjellë trashëgiminë shqiptare në vëmendjen e publikut vendas dhe ndërkombëtar.