Forumi Kombëtar: Arsimi si urë për përcjelljen e trashëgimisë kulturore jomateriale te brezat e rinj

forumi kombetar me mesuesit

Mbi 50 mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, ekspertë të trashëgimisë, pedagogë dhe grupe interesi u bënë pjesë e Forumit Kombëtar me temë: “Edukimi si Urë e Përcjellëse e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale tek Brezat e Rinj”, pjesë e projektit “Heritage is Our Brand”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga DMO Albania në partneritet me EU Policy Hub.

Në këtë forum u vu theksi te roli i edukimit në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore jomateriale në Shqipëri.

Nën moderimin e pedagoges Irena Myzeqari, aktiviteti nisi me fjalën e përfaqësueses se Delegacionit Europian, Entela Sulka e cila theksoi rëndësinë e rolit të mësuesit në përcjelljen e trashëgimisë jomateriale.

“Një event i rëndësishëm për trashëgiminë. Një përrallë, një këngë popullore, apo produkte të krijuara nga mjeshtrit me dorë që na kanë lënë kujtime të bukura që do duam t’ia kalojmë brezit. Por që të kemi këtë mundësi, hyrja e parë është në shkolla dhe mësuesit janë kontakti i parë”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e DMO Eva Kushova bëri një prezantim të platformës edukative, për trashëgiminë kulturore jomateriale, objektivave dhe rezultateve kryesore të projektit, duke u treguar të pranishmëve të gjithë punë e bërë  mbi këtë projekt që synon përcjelljen te brezi i ri i trashëgimisë sonë dhe duke i ftuar të përdorin gjithë historitë e trashëgimisë në platformën Albania Heritage, për tua prezantuar nxënësve në orët mësimore apo në orët e lira.

Ndërsa pedagogia e trashëgimisë kulturore, Esmeralda Agolli theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së mësuesve në këtë forum për përcjelljen e trashëgimisë kulturore. Sipas saj ka një problematikë thelbësore kur bëhet fjalë për transmetimin e trashëgimisë.

Fituesja e një prej granteve të projektit znj Anila Mullahi, që gjithashtu është dhe pedagoge te Fakulteti Filologjik dega Letërsi ku përgatiten mësuesit e ardhshëm, prezantoi botimin më të ri të realizuar nga projekti: Kujtesa e dheut, një libër me grafika ilustruese dhe 20 legjenda të shoqëruara me pyetje didaktike mësimore. Ajo shpjegoi se si histori si Teuta, Mbretëresha e Deteve; Mbreti Gent dhe Lulja e Mrekullisë; Historia e Kullës së Ngujimit; Miti i Kadmit; Dragoi dhe Kulshedra; Baba Tomorri dhe të tjerë përfaqësojnë elemente të çmuara të trashëgimisë shqiptare, të cilat duhet t’u përcillen brezave të rinj.

Në pjesën e dytë, koordinatorja e projektit, dhe drejtuese e organizatës partnere EU Policy Hub, znj Blerta Tuci bëri një përmbledhje të gjetjeve kryesore të studimit mbi të rinjtë dhe trashëgiminë kulturore jomateriale. Ky pyetësor nxorri në pah gjithë situatën e dijeve të brezave të rinj për trashëgiminë jomateriale dhe një sërë rekomandimesh se si duhet ti përcjellim te brezi i ri traditat, zakonet, identitetin tone.

Përfaqësuesi i organizatës Lybernic, Ergys Gezda ngriti shqetësimin për bërjen e politikave arsimore për t’iu përshtatur nevojave të kohës dhe brezit të ri, si edhe nxitjen e debatit.

“Duhet të konstektualizojmë dijen, këtu fshihet një nga sfidat më të mëdha sot. Të rinjtë pyesim po mua çfarë më lidh me këtë trashëgimi? Të rinjtë nuk janë indiferentë, por të lodhur. Pse  trashëgimia kulturore të mos debatohet? Pse mos diskutojmë me nxënësit cilat tradita duhen ruajtur, se ruajtja nuk do të thotë pranojmë pa reflektim gjithçka vjen nga e kaluara? Shkolla nuk duhet të jetë vendi ku ata mësojnë çfarë kanë trashëguar, por duhet të jetë edhe vendi ku të rinjtë zbulojnë se cfarë mund të bëjnë me këtë trashëgimi”.

Mësuesit ndanë mendime për përfshirjen e trashëgimisë jo materiale në shkolla, ku disa prej tyre theksuan se në disa shkolla është integruar në programin “Pas shkolle” me rigjallërimin e praktikave si klubet e artizanatit. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e integrimit të trashëgimisë kulturore jomateriale në sistemin arsimor, duke e trajtuar atë si një mjet të fuqishëm për forcimin e identitetit kulturor, nxitjen e krijimtarisë dhe rritjen e angazhimit të brezave të rinj dhe përdorimin e mjeteve digjitale për ta bërë mësimdhënien më ndërvepruese dhe gjithëpërfshirëse.

Mësuesit u pajisen gjithashtu me materialet e projektit “Heritage is Our Brand”, materialet e platformës albaniaheritage.com të cilat mund të përdoren me nxënësit si burime frymëzimi.

Mësuesit u informuan gjithashtu edhe nisjen e një konkursi kombëtar për nxënësit e shkollave nga e gjithë Shqipëria, ku fëmijët do të prezantojnë punime krijuese të frymëzuara nga historitë e trashëgimisë kulturore jomateriale.