Liria e ka emrin grua
Argeia ishte fëmija më i madh i familjes së saj. Vëllai dhe e motra lindën shumë vite
më vonë, kur ajo ishte rritur tashmë. Për shumë vite, Argeia kishte qenë fëmijë
i vetëm dhe ishte mësuar të merrte përsipër shumë nga detyrat e familjes. Përpiqej me
sa mundej të bënte çdo punë që kishte shtëpia, por qëndronte edhe pranë të atit, duke
e ndihmuar në punët e tregtisë.
Një ditë, ai u rrëzua dhe u detyrua të qëndronte për disa ditë shtrirë. Argeias iu desh
të kujdesej për mbarëvajtjen e dyqaneve. Kur filloi t’i përmirësohej këmba, i ati vendosi
të kthehej në punë. Por shkallët ishin ende të vështira për t’u zbritur apo për t’u ngjitur
dhe e lodhnin shumë. Prandaj vendosi që Argeia ta shoqëronte kudo.