Legjenda e Kadmit
Gjysh, o gjysh! Një gjarpër i vogël, por i trashë, është te shkallët e shtëpisë!
Iliri vrapoi drejt gjyshit, i cili ato çaste ndodhej në oborr dhe po merrej me pemët.
Gjyshi u tregua i qetë dhe i menduar. Edhe herë të tjera, kur kishin parë gjarpërinj në
lëndina, ai u kishte thënë nipërve dhe mbesave të largoheshin, por të mos i qëllonin
me gurë. “Lëreni të qetë. Ai do të ikë në punë të vet”, – u thoshte.
Gjyshi u afrua te shkallët e shtëpisë, aty ku i kishte treguar Iliri. E pa gjarprin, e
përshëndeti me respekt dhe pastaj e ndoqi me sy, ndërsa ai largohej drejt themeleve të
shtëpisë. Askush nuk e mori vesh se ku gjeti një vend për t’u futur, por gjarpri u zhduk
pa lënë asnjë gjurmë.