Kanioni i vajit
Mbrëmja sapo kishte rënë dhe errësira kishte filluar të mbulonte gjithçka, kur vasha
e bukur doli në dritare për të soditur qiellin e paanë. Ishte verë dhe hëna e plotë
derdhte pa kursim dritën e argjendtë mbi tokë. Yjet nuk dukeshin. Ndoshta ende nuk
kishin dalë, ose ndoshta, ndriçimi i fortë i Hënës ua kishte zbehur shkëlqimin. Ndërsa
qëndronte e vetme në dritare, në heshtjen e thellë të natës, vasha dëgjoi një melodi të
ëmbël fyelli, e cila e mahniti. Pas pak, melodia përfundoi, por menjëherë nisi një tjetër.
Tingujt e fyellit vazhduan gjatë dhe vasha qëndroi në dritare derisa fyelli pushoi. Atë
natë fjeti më qetë se çdo natë tjetër. Në ëndërr pa sikur kërcente nëpër fusha plot me
lule, e shoqëruar nga muzika e bukur e fyellit që kishte dëgjuar një natë më parë.
Të nesërmen në mbrëmje doli sërish në dritare, por nuk dëgjoi asnjë tingull. Priti dhe
pak, pastaj u largua. “Mbrëmë, duhet të ketë qenë ndonjë kalimtar i rastit që i binte
fyellit buzë lumit”, mendoi ajo.