“Albania Heritage” çel ciklin e ri të podcasteve kushtuar turizmit, historisë, trashëgimisë kulturore dhe historive shqiptare. Ky cikël i kushtohet projektit “Heritage is Our Brand”, të financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub.
Cikli do të përbëhet nga rreth 15 episode, në fokus të të cilave do të jenë artistët fitues të granteve të projektit. Në episodin e parë, drejtoresha e DMO Albania, Eva Kushova dhe koordinatorja e “Heritage is our brand” Blerta Tuci diskutuan mbi arritjet dhe rezultatet e këtij projekti i cili ka nisur që prej janarit 2024.
Vëmendja kryesore e këtij projekti janë të rinjtë dhe njohuritë e tyre mbi trashëgiminë shpirtërore shqiptare.
Studimi i realizuar në kuadër të projektit ka evidentuar rreth 40 histori të trashëgimisë shpirtërore.
Ndërsa pyetësori i cili përfshiu të rinj nga vendi dhe diaspora nxori në pah nevojën për më shumë informim dhe përfshirje të kësaj trashëgimie në edukimin e të rinjve.
Sipas gjetjeve, një pjesë e madhe e të rinjve i kanë mësuar traditat kryesisht nga familja, ndërsa shkolla mbetet një hapësirë ku kërkohet më shumë ndërhyrje.
Në vijim, projekti parashikon një forum me mësuesit dhe një konkurs kombëtar për të rinjtë, të bazuar në 40 historitë e trashëgimisë, me synimin që ato të rijetëzohen dhe të interpretohen përmes këndvështrimit të brezit të ri.
Podcastet synojnë të sjellin në vëmendje njerëzit, historitë dhe vlerat që përbëjnë trashëgiminë tonë shqiptare.
