Filmi me metrazh të shkurtër historik Teuta, Mbretëresha e Deteve, me skenar dhe regji nga Suela Bako, mblodhi të enjten e 7 majit dashamirës të artit dhe kinemasë në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë, ku u prit me shumë vlerësime nga publiku.
E pranishme në këtë premierë ishte edhe zëvendësministrja e Arsimit Orjana Osmani si edhe njerëz të artit, të kulturës dhe ekranit.
Filmi sjell një rrëfim që ndërthur historinë, identitetin dhe kërkimin personal, duke ndjekur historinë e Teas, një studente arkeologjie që nis të kërkojë gjurmët e Mbretëreshës Teuta, emrin e së cilës mban edhe vetë. Në këtë udhëtim, ajo përballet me reflektime mbi trashëgiminë, forcën e gruas dhe lidhjen personale me historinë.
I frymëzuar nga një prej 40 historive të projektit “Heritage Is Our Brand”, filmi rikthen në vëmendje figurën e Mbretëreshës Teuta, e cila sfidoi Perandorinë Romake në një botë burrash dhe u kthye në simbol të guximit, qëndresës dhe dinjitetit.
Regjisorja Suela Bako tha se u frymëzua jo vetëm nga historia e Teutës e Albania Heritage, por tregoi mes emocioneve edhe lidhjen shpirtërore që mbart ky emër.
“Një sipërmarrje e jashtëzakonshme, një gjë që më shtyu përpara është mamaja ime Teuta Bako. Çdo njeri ka një shtysë të brendshme për të ecur përpara. Pas asaj erdhi një Teutë e vogël që është Sea. Prej saj u inspirova ta quaj Tea dhe pasta një Teutë tjetër Kaltrin Zalla”, rrëfeu ajo.
Në fjalën e saj regjisorja Suela Bako rrëfeu se energjinë e Teutës e gjejmë edhe te gratë e vendit tonë nga veriu në jug.
“Besoj që geni është aty dhe trashëgohet. Dhe këtë kam dashur të jap në poezinë time, një qëndrim për historinë dhe genin nga vijmë. Vijmë edhe prej Teutës mbretëreshë. Mendoj që gratë tona janë një stacion i jashtëzakonshëm për të ndaluar në çdo kohë”, u shpreh ajo.
Zëvendësministrja e Arsimit Orjana Osmani e pranishme në këtë premierë, vlerësoi filmin dhe sugjeroi që të transmetohet edhe në shkolla, në mënyrë që nxënësit të edukohen edhe përmes artit me figurat historike.
“Do të sugjeroja që këto lloj filmash të transmetohen në shkollë. Besoj do të jetë i mirëpritur edhe nga mësuesit e historisë dhe do nxisë kureshtjen e nxënësve se ndoshta mund të jenë edhe fakti që ata mund të mos i kalojnë në librat e tyre dhe do të japë një mesazh që filmi, arti edukon. Filma të tillë janë një vlerë e shtuar për procesin edukativ”, u shpreh zv.ministrja e Arsimit, Oriana Osmani.
Ndërsa studiuesja dhe autorja e historive të “Heritage is our brand” Belisa Muka nuk e fshehu krenarinë që kjo figurë e jashtëzakonshme e Ilirisë sonë është kthyer në film.
“Jam shume krenare se mendoj që historitë janë aty për të na bërë të kujtojmë rëndësinë e personazheve historikë që kanë lënë gjurmë”.
Në rolin e Teutës interpreton Kaltrin Zalla, ndërsa në film marrin pjesë edhe Romir Zalla, Sea Dashi dhe Enton Lazaj. Kolona zanore është realizuar nga Jurgen Muharremi, fotografia nga Gert Izeti dhe EntonLazaj, ndërsa montazhi dhe post produksioni janë kuruar nga Adi Guri.
Projekti përfshin gjithashtu përdorimin e teknologjive bashkëkohore përmes AI Video Generator nga Hermes Zalla, duke krijuar një ndërthurje mes traditës dhe inovacionit.
Premiera e filmit u mbajt në Kinema Drita, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ndërsa hyrja ishte pa pagesë për publikun.
Pas premierës artdashësit shkëmbyen mendime dhe ide me regjisoren dhe Suela Bako.
Ky film është krijimi i dytë i publikuar nga 15 grantet e përfituara të projektit “ Heritage is our brand” të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub. Përgjatë këtyre dy muajve do të vijnë të tjera prodhime artistike nga instalacioni, xhubleta, basoreliev, koncert etno- jazz e shumë të tjera.
Pas këtyre projekti do të fokusohet te fëmijët dhe shkollat për të përcjellë te brezat e rinj të gjitha historitë, legjendat, si edhe produktet artistike të krijuara, në mënyrë që ata të njihen me pasuritë tona, të ndihen krenarë dhe t’ua transmetojnë brezave.