Mozaiku “Balisca – Kujtesa që zgjon tokën” i është shtuar së fundmi qytetit të Durrësit. Kjo vepër artistike e frymëzuar nga historia e Albania Heritage dhe e realizuar nga Durrësi Aktiv në kuadër të projektit “Heritage is our Brand / Trashëgimia na dallon”, me financim të Bashkimit Europian dhe zbatim nga DMO Albania dhe EU Policy Hub/Forumi i Politikave të Integrimit, u përurua më 22 maj në sheshin Azem Hajdari të qytetit bregdetar.
Artisti Ivo Moja solli në kohët moderne historitë e Dyrrahut antik dhe një traditë të hershme të ardhur deri në ditët tona, atë të prodhimit të verës.

Historia e verës Balisca-s sjell kujtimet e një ushtari romak, Titius, i cili gjatë qëndrimit në Dyrrah dashurohet me vajzën ilire Diona. Vite më vonë, në një festë pranë Romës, shija e verës ilire Balisca i rikthen mallin, dashurinë dhe kujtimet për tokën ilire, për vreshtat, për festat dhe për jetën që kishte njohur dikur pranë saj. Një histori që bëhet urë mes kujtimeve, dashurisë dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Në ceremoninë e prezantimit ishin të pranishëm pjesë aktivistë të Shoqërisë Civile, qytetarë, nxënës shkollash, si edhe me pjesëmarrjen e kryetares së këshillit bashkiak të Durrësit, Denisa Luarasi dhe përgjegjëesja e sektorit të integrimit europian Floreta Kërtusha


Mozaiku “Balisca – Kujtesa që zgjon tokën” i dedikohet verës ilire, shumë e preferuar në kohën antike, duke ardhur në ditët tona përmes historisë së dashurisë së Dionës nga Dyrrahu dhe ushtarit roman Titius dhe kujtimet që këtij të fundit i përcjell ëmbëlsia e verës Balisca.
Projekti “Heritage is Our Brand / Trashëgimia na dallon “, është financuar nga Bashkimi Evropian dhe qëllimi i tij është që përmes historive të treguara (Story telling) të bëjë më të prekshme për brezin e ri trashëgiminë kulturore.


Mozaiku “Balisca – Kujtesa që zgjon tokën” i shtohet listës së mozaikëve, që dikur i gjeje kudo në Dyrrahun antik. Inaugurimi i kësaj vepre përkoi edhe me mbylljen e Javës së Europës.
