Më 16 qershor u zhvillua ceremonia e përurimit të intalacionit bazoreliev “Thirrja e Gurit”, në Grykën e Vajës, Krujë, konkretisht në pikën turistike të fillimit të Parkut të Qafë Shtams.
Ky project artistik ishte një nga 15 projektet fituese të skemës së granteve të vogla “Heritage is our Brand”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub.
Projekti, i ideuar nga Besiana Shehi dhe bazorelievi i realizuar nga artisti Klodian Luca, është frymëzuar nga Legjenda e Grykës së Vajës, e cila përkujton sakrificën e 90 vajzave krutane në vitin 1478, që zgjodhën vdekjen përpara robërisë nga forcat osmane.
Kjo vepër artistike synon ruajtjen dhe promovimin e një prej legjendave më të fuqishme të Malësisë së Krujës.
Aktiviteti nisi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Bashkisë Krujë dhe DMO Albania, të firmosur nga nënkryetarja e bashkisë znj Yllka Sheta Kukalaj dhe drejtorja e DMO ALBANIA, znj Eva Kushova.
Më pas pjesëmarrësit u zhvendosën pranë vendit ku u vendos basorelievi “Thirrja e Gurit”. Ceremonisë së përurimit i parapriu koncerti me këngë e valle i nxënësve të Qendrës kulturore të Krujës.
Gjatë ceremonisë përshëndetën organizatorja Besiana Shehi, artisti Klodian Luca, nënkryetarja e Bashkisë Krujë Yllka Sheta Kukalaj, drejtoresha e DMO ALBANIA, znj Eva Kushova dhe koordinatorja e projektit zn. Blerta Tuci.
Përmes këtij projekti synohet forcimi i kujtesës kulturore, nderimi i qëndresës dhe dinjitetit të grave shqiptare, si dhe promovimi i turizmit kulturor në rajonin e Krujës.


