“Librat e Dritës”, filmi i animuar për Kodikët e Beratit

Filmi i animuar “Librat e dritës” i kineastit Andamion Murataj u shfaq premierë pasditen e 9 korrikut 2026 në Shtëpinë e Europës në Tiranë. 

Ky film është pjesë e granteve fituese të projektit “Heritage is our brand” të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe Eu Policy Hub, dhe është frymëzuar nga historia e Kodikëve të Beratit, një prej thesareve më të çmuara të trashëgimisë botërore.

Film i shkurtër i animuar sjell në jetë historinë legjendare të shpëtimit të kodikëve të Beratit. Përmes figurës së Skuripekut, një qytetar i zakonshëm që rrezikon gjithçka për të mbrojtur këto dorëshkrime të çmuara nga pushtuesit. 

“Më shumë se vlera e jashtëzakonshme e vetë Kodikëve, më kanë bërë përshtypje sakrifica ndër shekuj të qytetarëve të Beratit për shpëtimin e Kodikëve të Beratit. Ky rrëfim u ndërtua për t’u ofruar të rinjve një histori të traditës të rrëfyer me gjuhën vizuale dhe teknologjitë që ata ndjekin sot masivisht on line. Më tepër se një film i shkurtër, ky është një rrëfim me mjetet e inteligjencës artificiale, që shpresoj të shërbejë si pikënisje për një film më të plotë në të ardhmen. Është një film me një target shumë të qartë, të rinjtë”, tha regjisori Andamion Murataj.

Bazuar simbolikisht në një shkrirje të farëhedhësit te David Selenicasit me figurën e Skuripekut, një prej shpëtimtarëve të dokumentuar të kodikëve të Beratit, ky rrëfim fokusohet në heroizmin e qytetarëve që rrezikuan jetën për të mbrojtur dorëshkrimet e rralla gjatë pushtimeve. Në bashkëpumin me Ryan Johnson, artist vizual në Hollivud dhe ekspertin e tekonologjisë, Tomi Kallanxhin, rrëfimi ndërtohet me teknika moderne animacioni dhe është menduar veçanërisht për audiencat e reja.

“Inteligjenca artificiale mund të jetë një mënyrë e re për t’i afruar të rinjtë me historinë dhe kulturën. Duke aplikuar përdorimin e AI, ata jo vetëm fitojnë aftësitë teknike, por edhe kërkojnë, hulumtojnë dhe e kuptojnë më mirë të kaluarën. Kjo është një mundësi që histori si kjo të tregohen në mënyrë moderne, interaktive dhe më pranë brezit të ri, dhe pse jo nga vetë të rinjtë”, tha eksperti Kallanxhi.

Historiani Andi Pinari, i cili është dhe një nga autorët e studimit të “Heritage is our brand”,  vlerësoi se kjo është një mënyrë e re për të promovuar historinë shqiptare, duke theksuar se trashëgimia kulturore është elementi që i jep identitet vendit dhe duhet t’u përcillet brezave të rinj në forma bashkëkohore.

“Shpeshherë moderniteti na merr përpara edhe ne shumë elementë të traditës i hedhim mënjanë si të vjetra dhe vjen një kohe që i rivlerësojmë.  Në këtë kuptim, unë mendoj që ky projekt, në një mënyrë ose një tjetër na rikthen disa tradita që e bëjnë Shqipërinë të veçantë. Përmes filmave të tillë, këto histori mund të jetojnë edhe tek brezat e rinj”, tha Pinari.