Fuqia e tregimtarisë në trashëgiminë jomateriale

Tryezë me grupet e interesit, 30 Tetor, 2025 (Hotel Tirana)

Ky ishte titulli i tryezës së diskutimit të zhvilluar në Hotel Tirana International, në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, zbatuar nga organizata DMO Albania në partneritet me EU Policy Hub dhe financuar nga Bashkimi Europian.

Ky projekt dyvjeçar ka synim të rrisë ndërgjegjen kombëtare dhe të edukojë kryesisht brezat e rinj me ruajtjen e trashëgimisë jomateriale ose shpirtërore të përcjellë në breza.

Në tryezë u prezantua botimi me 40 histori unike të projektit të cilat tregojnë për vlerat e karakterit dhe jetës së shqiptarëve në shekuj.

E pranishme në këtë event ishte zv. ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, znj. Lira Pipa, e cila duke përshëndetur projektin dhe punen e bërë deri më sot, siguroi që këto histori mund të përfshihen ne përmirësimin e narratives në sitet arkeologjike të lidhura me to. Ajo theksoi se storytelling, tregtimtaria është shumë e rëndësishme për turizmin kulturor. Znj Pipa shtoi se një ndihmë e madhe për trashëgiminë jomateriale është dhe krijimi i fondacionit për artizanatin, i cili do të certifikojë produktet shqiptarëve të artizanëve tanë, në mënyrë që turistët të marrin një suvenir Made in Albania si dhuratë kur të largohen që këtej. Ajo mbështeti idenë për certifikimin e historisë që tregohet për turistët, vendosjen e audioguidave me histori të certifikuar, ngritjen e grupeve të punës edhe për të kontrolluar tregtimarinë në zona apo vende që presin shumë turistë.

I pranishëm në tryezë ishte dhe përfaqësuesi i Delegacionit të BE në Shqipëri, z. Andrea Ferrero, i cili mbështeti punën e projektit, dhe rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore dhe tregtimtarisë që përcillet në breza.

Më tej u prezantuan arritjet e projektit deri tani dhe hapat vitin që vjen, që kanë të bëjnë me përfshirjen e ketyre gjetjeve të projektit në edukimin e të rinjve.

E ftuar ishte një nga etnografet më të njohura në vend Afërdita Onuzi e cila rreshtoi fondin e madh të trashëgimisë shpirtërore në Institutin e Antropologjisë, mijëra faqe me përralla, legjenda, histori të cilat presin të shfletohen, dixhitalizohen, promovohen. Ajo tha se 1% e këtij fondi njihet nga publiku, dhe nevojitet sa më pare një Muze Etnografik i Shqipërisë, por dhe i Tiranës.

Elenita Roshi, Drejtore e Muzeut Historik Kombëtar foli për narrativën në Muzeume, pse është i rëndësishëm komunikimi muzeal me publikun dhe fëmijët. Ajo foli për risitë në projektin e rikonstruktimit të Muzeut Historik Kombëtar, dhe për sfidat aktuale në muzeologjinë shqiptare, vecanërisht për gjendjen e mjerë ku ndodhen sot muzeumet në gjithë vendin dhe nevojën urgjente për përmirësimin e narratives në muzeumet aktuale.

Botimi Heritage is Our Brand

Tryeza e sotshme përmbylli një pjesë të këtij projekti që ka të bëjë tregimtarinë në trashëgiminë jomateriale. Një studim unik nga një grup eskspertësh shqiptarë historianë dhe arkeologë solli në një formë të patreguar më parë 40 histori të trashëgimisë tonë shpirtërore, duke nisur që nga mitologjia, antikiteti, mesjeta, periudha moderne si dhe rituale dhe tradita. Histori që nga Mbretëresha e Deteve, Teuta, te mbreti Gent dhe lulja çudibërëse, vera ilire Baliska, Via Egnatia dhe Maximus, histori të tilla të mbijetesës së shqiptareve si Legjenda e Grykës së vajës, apo rituale si Beja mbi Gur, Udha e Krushqve, e shumë e shumë histori të tjera, kanë ardhur me një formë të thjeshtuar tregtimarie për gjithë brezat, në dy gjuhë. Cdo histori ka dhe kontekstin historik dhe mesazhin në ditet e sotshme, për ti bërë këto vlera të shqiptarëve në shekuj më aktuale dhe për t‘ i ruajtur sot e kësaj dite.

Ky botim u përgatit nga ekspertët: Marenglen Kasmi, Belisa Muka dhe Andi Pinari.

Grantet- kthimi i historive në produkte artistike

Këto 40 histori me një metodologji të rrallë, janë hedhur dhe në platformën albaniaheritage.com, për t‘u lexuar nga të gjithë. Dhe jo vetëm kaq. Bazuar në këto 40 histori u thirrën projekt propozime për grante nga projekti. Nga 238 aplikime, krijimtari e jashtëzakonshme në shumë zhanre, dokumentarë, instalacione, filma të animuar, e shumë ide të tjera, do të përzgjidhen vetëm 15 fitues. Këto produkte artistike që do i shtohen së shpejti skenës dhe aktiviteteve kulturore shqiptare, do të rrisin gjithashtu ndërgjegjësimin për historinë tone, vlerat e shqiptarëve dhe trashëgiminë tone të përcjellë në shekuj.

Edukimi

Projekti ka nisur që në janar të këtij viti fillimisht me një pyetsor për të rinjtë shqiptarë brenda vendit por dhe në diasporë, lidhur me njohuritë e tyre për trashëgiminë jomateriale, cfarë dinë, nga e kanë mësuar, cfarë kanë marrë në shkollë, në familje, a ruajnë kostume, objekte, dhe a dinë histori e legjenda për zonën e tyre. Pyetësori tregoi se shumica e të rinjve e duan vendin, duan të mësojnë më shumë, por pak mësojnë në shkolla dhe më shumë informacion për trashëgiminë shpirtërore kanë marrë në familje. Kjo është një urgjencë kombëtare që trashëgimia jonë e pasur duhet të mësohet në radhë në shkolla.

Vitin e dytë projekti ynë do ndalet pikërisht në shkolla dhe në procesin e edukimit, ku janë parashikuar forume me mësuesit e historisë, konkurse kreative me nxënësit e shkollave në gjithë vendin, fushata ndërgjegjësuese etj.

Turizmi

Pika fundore e projektit është që jo vetëm tregimtaria, 40 historitë e prodhuara, produktet artistike, instalacionet, videot, animimet e çdo produkt tjetër që do dalë nga grantet të vihet në funksion të turizmit.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, shumë prej këtyre narrativave do ti shtohen siteve arkeologjike apo dhe objekteve të tjera që lidhen me këto histori. Gjithashtu në kuadër të këtij bashkëpunimi, do pasurohet regjistri i trashëgimisë jomateriale me shumë nga historitë e sjella. Historitë do t’u ofrohen dhe guidave turistike në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë në Tiranë.  Një numër suveniresh që do të prodhohen nga projekti frymëzuar nga këto histori gjithashtu do të jenë në funksion të turistëve.

Rreth projektit më shumë: www.albaniaheritage.com