Besiana Shehi
Rreth Artistit
Besiana Shehi ushtron aktivitetin e saj si profesioniste e pavarur dhe aktualisht menaxhon Ironbrush – Linoprint Art Studio, me bazë në Tiranë. Ajo gjithashtu kuron dhe promovon projektet artistike të artistit Klodian Luca.
Studioja shërben si një hapësirë krijuese e dedikuar promovimit të teknikave tradicionale të printimit artistik, veçanërisht teknikës së linogdhendjes (linoprint), dhe së shpejti do të zgjerojë portofolin e saj artistik për të përfshirë edhe vepra në basoreliev. Përmes aktiviteteve të saj, studioja kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e praktikave tradicionale artistike dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
THIRRJA E GURIT – LEGJENDA E GRYKËS SË VAJËS E GDHENDUR NË BASORELIEV
Abstrakti
Vepra artistike do të përfaqësojë një ndërthurje të artit bashkëkohor me historinë, duke i dhënë një formë të prekshme një ngjarjeje që mishëron sakrificën, forcën dhe dinjitetin e grave shqiptare. Përmes kësaj teknike artistike, artisti do t’i japë jetë legjendës, duke e shndërruar atë në një pasuri kulturore të qëndrueshme, e cila do të vendoset në pjesën veriore të Malësisë së Krujës, pikërisht në vendin ku besohet se ka ndodhur ngjarja historike.
Basorelievi, me përmasa rreth 90 cm në lartësi dhe me peshë afërsisht 50 kg, do të vendoset në një faqe shkëmbore ose mur, duke u shndërruar në një pikë të re interesi për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Vepra do të pasqyrojë jo vetëm trashëgiminë jomateriale të ruajtur përmes legjendës, por edhe vlerën e artit si një mjet i fuqishëm për ruajtjen e kujtesës kolektive.
Aspekti krijues dhe inovativ i projektit qëndron në shndërrimin e legjendës në një shprehje artistike fizike dhe të qëndrueshme, përmes ndërthurjes së traditës me praktikën artistike bashkëkohore.
Vendi
Tiranë