“Tingujt që Flasin” është instalacioni më i fundit i “Heritage is our brand” i krijuar nga artisti Ergys Krisiko, fitues i skemës së granteve të financuar nga Bashkimit Euopian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe EU policy Hub, i cili u inaugurua më 14 korrik 2026 në oborrin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
I frymëzuar nga historia e Heritage is our brand “Fyejt e Gramshit dhe historia e Tanës”, artisti Ergys Krisiko solli për publikun këtë simbol të veçantë të trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare.
Vepra është një fyell monumental, rreth pesë metra i lartë, i realizuar në inoks pasqyrë dhe i shoqëruar me tinguj autentikë të interpretuar nga grupi “Fyejt e Gramshit”, duke krijuar një përvojë që ndërthur artin bashkëkohor me trashëgiminë shpirtërore shqiptare.
Instalacioni është frymëzuar nga tradita e “Fyejve të Gramshit dhe legjenda e Tanës”, vajzës së një pasaniku, e cila komunikonte me të dashurin e saj çoban përmes melodive të fyellit. Historia rrëfen se edhe kur çobani u lidh nga hajdutët, ai arriti të kërkonte ndihmë vetëm duke i rënë fyellit, ndërsa Tana e kuptoi mesazhin dhe mobilizoi banorët e fshatit për ta shpëtuar.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë drejtoresha e Politikave për Trashëgiminë Kulturore në ministrinë e Turizmit Kulturës dhe Sporteve, zonja Benida Kraja, drejtuesja e programit në Delegacionin e BE-së në Tiranë, zonja Entela Sulka, drejtoresha e DMO Albania zonja Eva Kushova, koordinatorja e projektit Blerta Tuci dhe përfaqësues të organizatave zbatuese, si dhe artisti Ergys Krisiko.
“Kjo vepër arti është ndër 15 produktet artistike të projektit Heritage is Our Brand që do lënë një vlerë të shtuar për komunitetin dhe trashëgiminë shpirtërore”, tha drejtuesja e programit të delegacionit të BE-së në vendin tonë Entela Sulka.
Brenda instalacionit është vendosur një sistem audio që riprodhon meloditë autentike të fyellit, ndërsa vizitorët mund të mësojnë më shumë për historinë e tij përmes një kodi QR të vendosur pranë veprës.
Artisti Ergys Krisiko shprehet se instalacioni buron nga marrëdhënia e hershme mes njeriut dhe natyrës.
“Fillon nga një gjenezë, nga një emocion më i thjeshtë, ku barinjtë, në nevojën për të komunikuar me natyrën, nisën të përkthenin fishkëllimën dhe meloditë e ajrit në tinguj. Fyelli është një instrument shumë i thjeshtë, por me një harmoni të jashtëzakonshme. Tingujt janë marrë pa ndërhyrje nga grupi ‘Fyejt e Gramshit’, ashtu siç interpretohen prej tyre.”
Ndërsa drejtuesja e DMO Albania, Eva Kushova, thekson se historia e Tanës është një prej rrëfimeve më domethënëse të trashëgimisë sonë jomateriale.
“Historia e Tanës është historia e dashurisë së një çobani me vajzën e një pasaniku. Ai i përcillte mesazhet e dashurisë përmes fyellit dhe madje edhe kur u kap nga hajdutët, kërkoi ndihmë vetëm me tingujt e tij. Muzika përcjell mesazhe dashurie, sakrifice dhe ndihme. E sollëm këtë histori sepse është një kryevepër e trashëgimisë sonë.”
Kjo vepër është një nga 15 produktet artistike të projektit “Heritage is Our Brand”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub/Forumi i Politikave të Integrimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Projekti synon të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes formave inovative të artit dhe interpretimit bashkëkohor.
“Tingujt që Flasin” është projekti i 14-të i prezantuar në kuadër të programit “Heritage is Our Brand”. Projekti i fundit i kësaj nisme do të prezantohet në shtator dhe do të jetë një novelë grafike që sjell për fëmijët legjenda dhe përralla të trashëgimisë shqiptare në një format modern.