“Këngë dhe Rituale”, suita etno-jazz që solli trashëgiminë shqiptare në një gjuhë bashkëkohore

Vallja e Osman Takës, Fyejt e Gramshit dhe historia e Tanës dhe Udha e Krushqve u ngjitën në skenën e Liceut Artistik “Jordan Misja” në 23 qershor në një koncert-performancë që ndërthuri muzikën tradicionale shqiptare me estetikën moderne të jazz-it. Të përzgjedhura nga projekti “Heritage is Our Brand”, këto elemente të trashëgimisë kulturore morën jetë përmes tingullit, improvizimit dhe rrëfimit artistik.

Koncepti artistik dhe kompozimet origjinale mbajnë firmën e pianistit dhe kompozitorit Andi Kongo, i cili solli një qasje të re ndaj folklorit shqiptar përmes etno-jazz-it.

I frymëzuar nga 3 historitë e platformës Albania Heritage, Kongo shpjegon se ideja i lindi nga dëshira për të rikthyer në vëmendje histori, rituale dhe tradita që, sipas tij, po zbehen me ritmin e jetës moderne.

“Qëllimi i këtij projekti është të kujtojë disa thesare të kulturës sonë, të cilat shpesh i harrojmë. Rrëfimi i historive, i ndërthurur me muzikën jazz, e bën më të lehtë që publiku t’i njohë dhe t’i përjetojë ato”, shprehet ai.

Sipas Kongos, përzgjedhja e katër elementeve nuk ishte rastësore. Ato u zgjodhën sepse lidhen ngushtë me muzikën popullore shqiptare dhe përfaqësojnë rituale që kanë shoqëruar jetën e komuniteteve ndër breza.

Kompozitori theksoi se jazz-i dhe folklori shqiptar ndajnë një element të rëndësishëm të përbashkët: improvizimin.

“Ne e kemi pasur improvizimin shumë përpara se të lindte jazz-i. Muzika jonë popullore është transmetuar brez pas brezi përmes gojëdhënës dhe interpretimit të drejtpërdrejtë. Pikërisht kjo e afron aq shumë me gjuhën e jazz-it”, tha ai.

Në skenë interpretuan Ermal Rodi në fyell dhe klarinetë, Elona Islamaj në violinë dhe vokal, Iris Sula në vokal, Arbin Alimeri në bas dhe Emiljan Dhimo në bateri. Ndërkohë, aktorët Eno Basha dhe Iris Sula udhëhoqën publikun përmes një rrëfimi që solli kujtesën, ritualin dhe identitetin kulturor shqiptar në një formë bashkëkohore.

Kongo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Evropian, DMO Albania dhe EU Policy Hub, duke theksuar se projekte të tilla ndihmojnë jo vetëm në promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe në krijimin e formave të reja artistike që e afrojnë publikun me traditën.

“Këngë dhe Rituale” propozon një dialog të ri mes trashëgimisë dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke dëshmuar se historia, legjendat dhe muzika tradicionale shqiptare mund të komunikojnë fuqishëm me publikun e sotëm përmes gjuhës universale të jazz-it.

Projekti realizohet në kuadër të skemës së granteve “Heritage is Our Brand”, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub, me synimin për të promovuar dhe rijetësuar trashëgiminë kulturore shqiptare përmes formave inovative të artit.