Përurohet në Bajzë instalacioni artistik “Xhubleta e Dalun N’Dritë”

Në Bajzë të Malësisë së Madhe u inaugurua më 17 qershor,  instalacioni artistik “Xhubleta e Dalun N’Dritë”, vepër e artistit Fatmir Juka, kushtuar xhubletës një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar dhe pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s.

“Xhubleta e Dalun N’Dritë” është një nga 15 projektet fituese të skemës së granteve “Heritage is Our Brand”, një iniciativë që synon promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si një aset për zhvillimin lokal dhe turizmin kulturor.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga DMO Albania në bashkëpunim me EU Policy Hub.

Instalacioni, i vendosur në zemër të Malësisë së Madhe, është frymëzuar nga një prej 40 historive të “Albania Heritage” dhe synon të sjellë në vëmendje vlerat historike, artistike dhe shpirtërore të xhubletës, duke krijuar një urë lidhëse mes traditës dhe së tashmes. Përmes kësaj vepre publike, artisti përcjell jo vetëm bukurinë estetike të kësaj veshjeje tradicionale të grave të trevave veriore, por edhe historinë, identitetin dhe kujtesën kolektive që ajo përfaqëson për shqiptarët.

Vendosja e instalacionit në Malësinë e Madhe nuk është rastësore, pasi kjo trevë konsiderohet një nga vendlindjet dhe ruajtëset më të rëndësishme të traditës së xhubletës, duke e kthyer veprën në një simbol të lidhjes mes trashëgimisë së kaluar dhe identitetit kulturor të sotëm.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, artistë dhe banorë të zonës. I pranishëm ishte edhe kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Inaugurimit të këtij instalacionioni i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje mirëkuptimi mes Bashkisë së Malësisë së Madhe dhe DMO Albania, ku firmosën kryetari i bashkisë zoti  Tonin Marinaj dhe drejtoresha e DMO Albania zonja Eva Kushova.

Gjithashtu ky aktivitet u shoqërua me këngë dhe valle nga të rinjtë e zonës.