Mes bjeshkëve dhe kujtimeve, “Flija” dokumenton traditën që jeton brez pas brezi

“Flija tradita në ekran” u shfaq mesditën e 19 majit në Pallatin e Kulturës Hasan Prishtina në Kukës. Një dokumentar nga Ekologet për Rajonin Kukës, organizata fituese e granteve të projektit “Heritage is Our Brand” të financuar nga European Union in Albania dhe që zbatohet nga DMO Albania dhe EU Policy Hub/Forumi i Politikave të Integrimit.

Në këtë event ishin të pranishëm prefekti i qarkut, Donald Korbi, nënkryetari i bashkisë së Kukësit Avdullah Domi të cilët falënderuan projektin “Heritage is our brand” për mbështetjen e kësaj nisme në mbrojtje të vlerave dhe trashëgimisë sonë.

“Janë vlera që ne duhet t’i ruajmë, promovojmë dhe t’i trashëgojmë brez pas brezi”, tha nënkryetari Domi.

Miq, qytetarë dhe dashamirës shijuan për më shumë se 30 minuta dokumentarin e gatimit tradicional të kësaj treve, që është trashëguar në shekuj sidomos në zonën e Kukësit dhe në fshatrat e thellë malorë.

Dokumentari është realizuar në një shtëpi në fshatin e largët Grykë Çaje të Kukësit, në familjen mikpritëse Shehi. Tradita e flisë në këtë familje është e përjavshme, çka e bën këtë proces një trashëgimi që jeton dhe përcillet në breza.

Dokumentari erdhi për publikun si një rrugëtim që nisi nga kujtimet e fëmijërisë dhe dëshira që këto kujtime të përcillen ndër breza. Një udhëtim drejt Grykë-Çajës, në mesin e bjeshkëve, atje ku ende ruhen traditat më të paprekura.

Publiku pa të dokumentuar procesin e pjekjes së flisë, mes mikpritjes së Lumës, bisedave të ngrohta dhe atmosferës autentike të jetës tradicionale.

Siç thotë edhe drejtori i organizatës “Ekologët për rajonin Kukës”, Bukurosh Onuzi, përmes këtij dokumentari kemi sjellë në ekran jo vetëm një gatim, por një pjesë të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore dhe kulinarisë rustike shqiptare.

“Nëse duhet të jemi krenarë, duhet të jemi për mikpritjen, dhe mikpritja lidhet me flinë dhe mënyrën e servirjes”, thotë ai.

Drejtuesja e projektit “Heritage Is Our Brand” Eva Kushova solli në vëmendje rëndësinë e vlerave të trashëgimsië sonë kulturore dhe jo materiale për tërheqjen e turistëve.

“Ne duhet të njohim më mirë vlerat tona dhe ato duhet të reklamojmë për turistët”, u shpreh ajo.

Ky dokumentar është prodhuar nga Ekologët për Rajonin e Kukësit në kuadër të skemës së granteve të projektit “Heritage is our Brand”, me regji të Gjergji Figurit, skenari nga Hekuran Koka, producent Bukurosh Onuzid he narrator Asia Koka.