28 Prill, Liceu Artistik
Lojërat tradicionale shqiptare në skenë, Muzikali për fëmijë çel siparin e krijimeve artistike të “Heritage is Our brand”
Muzikali me këngë dhe lojëra për fëmijë nga Endrit Muçaj do të çelë të martën e 28 prillit siparin e një sërë projektesh artistike të përfituara nga grantet e “Heritage is Our Brand”, të cilat financohen nga Bashkimi Europian dhe zbatohen nga DMO Albania dhe EU Policy Hub.
Shfaqja përfshin 12 lojëra tradicionale shqiptare dhe 12 kompozime muzikore origjinale të
kompozitorit Endri Muçaj, të sjella për herë të parë për publikun. Në skenë, fëmijët interpretojnë lojëra të njohura si “Dembeli”, “Karamele Zana”, “Loja me Peta”, “Loja me Litar”, “Lule Dele”, “Shi shi Babashi” “Roza-rozina”, “Hapa dollapa”, “Kala dibrançe”, e të tjera, duke rikthyer frymën e traditës në një formë artistike bashkëkohore.
Ky aktivitet synon të afrojë brezat e rinj me kulturën popullore shqiptare, duke i njohur me lojërat që dikur luanin fëmijët në oborre, livadhe apo rrugicat e fshatrave dhe qyteteve. Lojërat popullore shqiptare janë një dëshmi e jashtëzakonshme e një kulture të pasur dhe krijuese, e cila ka shoqëruar breza të tërë në Shqipëri përgjatë kohërave.
Në mungesë të lodrave moderne dhe teknologjisë së avancuar, fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë shpiknin lojëra të cilat i luanin në ambiente të hapura si oborret e shtëpive, livadhet e blerta apo rrugicat e fshatrave e qyteteve të vogla. Muzikali do të shfaqet më 28 prill 2026, në orën 18:00, në ambientet e Liceut Artistik Jordan
Misja, në Tiranë. Ftojmë prindër dhe fëmijë të bëhen pjesë e kësaj eksperience unike kulturore.
Lexoni historinë që frymëzoi artistin Endri Mucaj për të sjellë këtë vepër muzikore: Lojërat popullore shqiptare – Kujtim i gjallë i gëzimit- Albania Heritage