Ngjarja
Argjendarët shqiptarë dhe filigrani: mjeshtëri, identitet, trashëgimi
Shkodra e pranverës së vitit 1881 gumëzhinte nga zhurmat e tregut dhe njerëz të shumtë që lëviznin si rryma detare në rrugicat e ngushta. Punishtet e argjendarëve dukeshin si vatra të ngrohta e të vogla drite. Flakët e furrave, shndritja e fletëve të metalit, fëshfërima e telave të hollë që përdridheshin mbi kallëpe i jepnin një tis magjie këtyre punishteve të mrekullueshme. Në ajër ndjehej një pritje e pazakontë. Një lajm kishte ndezur qytetin. Treqind vajza të Shkodrës kishin vendosur t’i dhuronin princeshës Elena Gjika (Dora d’Istria) një pendë shkrimi të punuar tërësisht në filigran argjendi. Për vajzat, kjo ishte më shumë se dhuratë. Dora d’Istria, shkrimtare, publiciste dhe mbrojtëse e palodhur e çështjes shqiptare dhe e të drejtave të gruas, duhej të merrte një simbol të vlerësimit e mirënjohjes, të shkruar me gjuhën e atdheut.
U thirrën mjeshtrit më të mirë të qytetit. Punishtja e Kolë Prenushit, e njohur për filigranin e njomë si dantella, u kthye në një skenë të përbashkët. Ditë e natë, mjeshtrit tërhiqnin telat e argjendit në hollësi sa fijet e flokut, i përdridhnin në spirale, yje e rozeta. Çdo motiv mbante brenda një urim të fshehtë për princeshën: guxim për fjalën e lirë, dritë për mendjen e lirë, bekim për kombin. Kur penda mori formë, ajo dukej sikur ishte krijuar nga ajri dhe drita: një “dantellë argjendi” që rrezatonte si fjala e shkruar. Trupi i saj i lehtë mbante një strukturë të gërshetuar ku boshllëku i tejdukshëm bëhej pjesë e dizajnit – ashtu si mendimi i lirë që kalon përmes kufijve.
Dita e dhurimit u kthye në festë qytetare. Treqind vajza, të veshura me kostume popullore, e shoqëruan pendën nëpër rrugët e gurta të Shkodrës, duke kënduar këngë mirënjohjeje. Drita e diellit binte mbi argjend si mbi ujë, ndërsa në sytë e të gjithëve ky objekt nuk ishte më thjesht mjet shkrimi, por një letër e gjallë e Shkodrës drejtuar Evropës.

Nuk ka përmbajtje audio në dispozicion. Shtoni një URL audio në panelin e administrimit.
Nuk ka përmbajtje video në dispozicion. Shtoni një URL video në panelin e administrimit.
Periudha Kohore
Nga Mesjeta e vonë deri në fillim të shek. XX, me kulmin
e lulëzimit gjatë shekujve XVIII–XIX dhe vijimësi në shek. XX e deri në ditët tona përmes punishteve artizanale.
Përmbledhja Historike e Periudhës
Argjendaria ka qenë një nga shtyllat e zejeve qytetare shqiptare dhe një shenjë e ndërthurjes së shijes estetike me ekonominë urbane. Që nga Mesjeta e vonë e deri në shekullin XX, qytete si Shkodra, Prizreni, Gjakova, Elbasani dhe Berati u shndërruan në qendra prodhimi të objekteve luksoze në ar dhe argjend, të destinuara si për përdorim të përditshëm, ashtu edhe për ceremoni. Me rritjen e qyteteve dhe rolit të tyre ekonomik e politik dhe me organizimin e esnafeve, punishtet u shtuan dhe u specializuan aq sa në fund të shekullit XVII shumë familje në Shkodër dhe Elbasan jetonin nga kjo mjeshtëri, ndërsa në Prizren regjistrohen rreth dyzet e shtatë punishte të vendosura në qendër të qytetit. Tregjet e mëdha të shekujve XVIII–XIX, si psh bezistani i Shkodrës, pasqyrojnë rolin e këtyre qyteteve si nyje tregtie për mallra të çmuara dhe punime të rafinuara të dorës. Në punishtet e argjendarëve përdoreshin teknika të ndryshme si rrahja e fletës metalike mbi kallëp, derdhja, gdhendja dhe inçizimi, granulimi dhe punimi i telit të hollë. Kulmi estetik dhe shenja dalluese u bë filigrani, një punim “si dantellë” me fije shumë të holla argjendi ose ari, të përdredhura e të bashkuara me saldim të imët me motive të ndërthurura.
Po si punohet filigrani (nga lat. filum “fije” + granum “kokërr”)? Në thelb, mjeshtri tërheq fijen e argjendit deri në diameter mikroskopik, fijet përdridhen në çifte, formohen motive si spirale, rozeta, gjethe, rrjeta romboide, pastaj vendosen mbi një kornizë ose mbi një bazë dhe bashkohen mesaldim të kontrolluar, shpesh duke shtuar “kokrra” të vogla për të theksuar nyjet. Rezultati është një sipërfaqe me dritë-hije të imta, ku ajri bëhet pjesë e kompozicionit, një estetikë e tejdukshme që lidhet bukur me veshjet e bardha të kostumeve të veriut dhe me mëndafshin e ngjyrave të jugut. Ky është edhe shkaku pse filigrani shpesh njihet edhe si “dantella e argjendit”.
Prodhimet e argjendarëve shqiptarë ishin të shumta dhe të larmishme. Për përdorim personal përfshiheshin byzylykë, vëthë, unaza, gjerdanë, varëse me monedha, pafta brezash, qostekë sahati e kunja flokësh a kapelash. Në sferën rituale dhe fetare spikasin kryqet, ikonat e veshura me argjend, kandilet dhe shandanët. Filigrani zbukuroi edhe armët dhe pajimet e kalit, ku argjendi shtonte jo vetëm shkëlqim, por edhe statusin shoqëror.
Roli i argjendarëve në zbukurimet e armëve dhe pajimeve del rregullisht në përshkrimet e traditës në zonat e Shkodrës, Prizrenit dhe Gjakovës. Janë mjaft të njohura zbukurimet e filigranit mbi armët e shqiptarëve, që sot gjendet në shumë muze brenda e jashtë vendit. Në shtëpi kishte filxhanë, tabaka, pasqyra, korniza, dhe detaje mobilimi që zbukuroheshin e merrnin finesë të veçantë nga kjo teknikë. Në kulturën qytetare shqiptare, një send i punuar në filigran komunikonte njëherazi mundësinë ekonomike të familjes dhe shijen estetike, shpesh me motive të trashëguara brenda njësive artizanale.
Kjo mjeshtëri nuk ishte e izoluar veç ndër shqiptarë sepse filigrani ballkanik është pjesë e një tradite më të gjerë mesdhetare e lindore, e dokumentuar që nga antikiteti dhe e popullarizuar gjerësisht gjatë shekujve të sundimit osman. Në këtë horizont të gjerë, repertori i motiveve si rozeta, hardhi, valëzime “arabeske”, yje etj është i krahasueshëm, por shija lokale shqiptare u shpreh në ngjyrimin e kompozimeve dhe në raportet e holla të linjave. Për shembull, tradita prizrenase, me rrjeta tepër të imta, u dallua nga punimet e tjera ballkanike dhe u bë markë identitare e qytetit. Në shekullin XIX, përhapja e filigranit u bë aq e gjerë, sa shumë teknika të tjera të stolisjes u lanë mënjanë dhe filigrani u bë estetika mbizotëruese e zejes së argjendarëve. Kjo nuk ishte vetëm çështje mode pasi punimi i telit të hollë kërkonte përsosmëri teknike dhe artistike duke e ngritur mjeshtërinë e argjendarit në rang arti. Sot plot muze etnografikë apo edhe argjendari na ndihmojnë ta shohim nga afër këtë trashëgimi. Përveç tabakave dhe brezave të punuar me filigran në Berat, koleksionet etnografike në Shkodër, Gjirokastër e Prizren ekspozojnë objekte ku filigrani lidhet me tekstilet, drurin ose gurin, duke dëshmuar bashkëjetesën e zejeve. Këto objekte i japin zë një ekonomie artizanale të ndjeshme ndaj modës, por të trupëzuar në teknika e mjeshtëri të trashëguara prej shekujsh. Më shumë se një teknikë, filigrani është gjuhë vizuale e një shoqërie qytetare që e lidhi të bukurën me etikën e punës dhe me prestigjin social. Si trashëgimi e prekshme, ai ruan kujtesën e punishtes, të punës me dorë, të “ritmit të flakës”; si trashëgimi shpirtërore, ai bart kodet e shijes, të ritualit dhe të vetëpërfytyrimit estetik. Sot, ndërsa turizmi kulturor rrit kërkesën për objekte me prejardhje vendase, filigrani shqiptar ka potencial të jetë markë kulturore: një “dantellë” metali që tregon historinë e qyteteve tona, të tregjeve dhe të mjeshtërve që punuan me sy të mprehtë, dorë të sigurt dhe frymëzim artistik.
Kushtet që Sollën Lindjen e Ngjarjes
Zhvillimi i argjendarisë shqiptare dhe shndërrimi i saj në një degë të rëndësishme të ekonomisë, lidhet ngushtë me zgjerimin e tregtisë, qarkullimin e metaleve të çmuara dhe konsolidimin e kulturës urbane që kërkonte objekte të hijshme të punuara me materiale të çmuara e të përdorshme në rite familjare e fetare. Organizimi i kësaj mjeshtërie në esnafe me rregulla të përcaktuara qartë, garantoi formim shumëvjeçar të mjeshtërve, standarde pune dhe cilësi, ndërsa qarkullimi ballkanik dhe mesdhetar i motiveve dhe teknikave u përthith e u rikompozua sipas shijeve vendore. Kështu u krijua një repertor origjinal formash dhe zbukurimesh që i dha argjendarisë shqiptare profil të dallueshëm.
Mesazhi
Sot filigrani shqiptar mbetet një trashëgimi e gjallë dhe markë kulturore, ku punishte familjare
në Shkodër, Prizren, Gjakovë, Elbasan e Berat vazhdojnë të krijojnë stoli e objekte me
teknikat shekullore, ndërsa artistë e rikompozojnë në bizhuteri e art bashkëkohor. Ai shërben
si gjuhë përfaqësimi kombëtar, përdoret në dhurata protokollare dhe suvenire turistike, dhe
mbrohet përmes muzeve, qendrave artizanale dhe nismave për ta regjistruar si trashëgimi
jomateriale në UNESCO. Kështu, filigrani bashkon kujtesën e qyteteve shqiptare me
ekonominë krijuese të shekullit XXI, duke mbetur një simbol i shijes estetike, i identitetit
kulturor dhe i mjeshtërisë që lidhet me dorën e njeriut.
Kuptimi në Kontekstin e Sotëm
Sot filigrani shqiptar mbetet një trashëgimi e gjallë dhe markë kulturore, ku punishte familjare në Shkodër, Prizren, Gjakovë, Elbasan e Berat vazhdojnë të krijojnë stoli e objekte me teknikat shekullore, ndërsa artistë e rikompozojnë në bizhuteri e art bashkëkohor. Ai shërben si gjuhë përfaqësimi kombëtar, përdoret në dhurata protokollare dhe suvenire turistike, dhe mbrohet përmes muzeve, qendrave artizanale dhe nismave për ta regjistruar si trashëgimi jomateriale në UNESCO. Kështu, filigrani bashkon kujtesën e qyteteve shqiptare me ekonominë krijuese të shekullit XXI, duke mbetur një simbol i shijes estetike, i identitetit kulturor dhe i mjeshtërisë që lidhet me dorën e njeriut.
Bibliografia
- Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Akademia e Shkencave të
- Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1984
- Historia e popullit shqiptar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë,
- Botimet Toena, Tiranë 2002