Më 15 tetor përfundoi afati i aplikimit për skemën e granteve të vogla të projektit “Heritage is our brand”, të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub.
Thirrja për aplikimi u hap më 8 shtator 2025 dhe vijoi përmes 3 sesioneve informuese, në Tiranë më 18 shtator, në Shkodër më 24 shtator dhe përfundoi në Korçë më 30 shtator 2025.
Kjo thirrje për propozime ka patur interes shumë të lartë nga artistë dhe individë të apasionuar pas historisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë shpirtërore.
Janë rreth 238 aplikime nga e gjithë Shqipëria, ide dhe krijime autentike që ata kanë sjellë në formë artistike, të frymëzuar nga historitë që ka prodhuar projekti ynë “Heritage is Our Brand” në platformën www.albaniaheritage.com
Por siç ju kemi informuar hap pas hapi që në hapjen e thirrjes për propozime për grantet, vetëm 15 prej gjithë këtyre krijimtarive do të financohen nga projekti.
Skema e granteve të vogla do të financojë 15 nisma kreative, secila me 4 mijë euro, që kanë për synim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale në Shqipëri përmes metodave bashkëkohore si dokumentarë, animacione, instalime artistike dhe ekspozita vizuale.
Interesi i madh për rikthim të traditave, për krijimtari artistike mbi këtë temë të shërbejë si një thirrje për autoritetet tona dhe donatorë të investojnë më shumë në kulturën dhe trashëgiminë, si elemente që na identifikojnë, na lidhin me të kaluarën dhe na udhëheqin drejt së ardhmes.
15 fituesit do të shpallen më 15 nëntor 2025.