Nata e xhubletës – kujtesa e gjallë

Audio
Video
📱
Kujtim

Nuk ka përmbajtje audio në dispozicion. Shtoni një URL audio në panelin e administrimit.

Nuk ka përmbajtje video në dispozicion. Shtoni një URL video në panelin e administrimit.

Periudha Kohore

Nga Mesjeta e vonë deri në mesin e shekullit XX, me shkëlqimin gjatë shekujve XVIII–XIX në qendrat urbane dhe në trevat me tradita të forta të punimit të tekstileve. Ka vijimësi të dukshme edhe në shekullin XXI përmes muzeve, punishteve artizanale dhe skenës kulturore në vend e jashtë tij.

Përmbledhja Historike e Periudhës

Krahas punimit të tekstileve prej leshi, mëndafshi e pambuku, një vend të veçantë zuri mjeshtëria e qepjes së veshjeve popullore dhe zbukurimi i tyre me fije ari a argjendi, me gajtanë e shirita dekorativë. Përkrah këngës, valleve dhe muzikës, veshja u bë një prej shfaqjeve më të dukshme të artit popullor, që e dallonte botën shqiptare në hapësirën ballkanike. Që nga ikonat dhe afresket mesjetare, ku shfaqen veshjet e shtresave të larta, e deri te periudha osmane, kur në qytete u përhapën kadifet e kushtueshme dhe fijet e arta, veshjet u formësuan si një mozaik krahinor, ku çdo element kishte kuptim. Udhëtarë dhe intelektualë evropianë nuk mbetën indiferentë. Lord Byron dhe shoku i tij John Cam Hobhouse (Lord Broughton) shkruan me admirim për kostumet shqiptare. Portreti i Byronit i veshur me kostum shqiptar u bë ikonë e shekullit XIX për të gjithë Europën e lëvizjen romantike. Në fillim të shekullit XX, Faik Konica zgjodhi po të njëjtën gjuhë vizuale të përfaqësimit, pasi u fotografua me kostumin kombëtar të jugut në ambiente zyrtare dhe në një ceremoni, duke e shndërruar veshjen në diplomaci të heshtur, por me mjaft ndikim. Mjeshtëria e veshjeve popullore u ndikua nga rritja e qyteteve, zgjerimi i tregjeve dhe qarkullimi i lëndëve të para. Esnafet e terzinjve dhe qëndistarëve vendosën rregulla të forta për marrjen e mjeshtërisë, një hierarki (çirak–kallfa–mjeshtër) dhe standarde të larta cilësie. Në fshatra puna me vegjë e trashëguar nga nëna te bija ruajti vazhdimësinë e teknikave shtëpiake. Ndikimet mesdhetare sollën motive të reja si arabeska e rozetat, por ato u përthithën dhe u rimenduan me shijen vendore, duke krijuar gajtanë të zinj mbi të bardhë, fijet e arta mbi kadife të kuqe, kontraste të forta që lexohen edhe sot në koleksionet muzeale. Ngjarjet shoqërore si fejesa, martesa, festa kalendarike e ritet fetare, e ngritën veshjen në kapital simbolik dhe ekonomik. Një kostum i bukur nuk ishte thjesht “veshje e re” por ishte kartëvizitë e shtëpisë, dëshmi e punës dhe e mundësive ekonomike. Procesi i krijimit të veshjeve popullore nis me materialin. Leshi punohet e thuret në vegjë për tirq, xhubletë ose funde. Pambuku dhe mëndafshi përdoren për këmisha, përparëse e qëndisma. Ngjyrat përftohen me bojëra natyrale si lëvore arre, marenë e indigó që japin jetë e qëndrueshmëri. Terzinjtë vizatojnë e presin sipas masës e tipologjisë krahinore, ndërsa qëndistarët e zbukurojnë sipërfaqen me fije ari e argjendi, kordele mëndafshi dhe gajtanë të ngushtë që kthjellojnë arabeska, rozetë, gërsheta, shirita paralelë. Vendosja e monedhave, e kopsave prej argjendi dhe i telit të hollë (deri edhe filigrani në detaje) krijon reliev, ritëm e dritë. Në fund, hekurosja dhe fiksimi i elementeve e bëjnë veshjen të qëndrojë mbi trup me një elegancë që nuk është rastësi, por orë e orë të tëra pune të padukshme. Në veri, tirqit e zinj me gajtanë të dendur dhe xhubleta e grave përbëjnë një alfabet të tërë shenjash. Xhubleta me formën e saj “zile”, me shkallëzimet, rripat shumëngjyrësh dhe metalet dekorative, është një prej veshjeve më të vjetra të hapësirës shqiptare, prej 3000 vitesh. Në vitin 2022 ajo u regjistrua në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s, duke i dhënë një status ndërkombëtar dijes së brishtë të punimit të saj dhe duke mobilizuar komunitetet malësore për ta mbajtur gjallë. Në qendër dhe në jug, fustanella është emblemë mashkullore që shoqërohet me xhamadan të qëndisur, brez të gjerë dhe këpucë me xhufka. Qendrat urbane si Shkodra, Berati, Elbasani, Korça e Gjirokastra krijuan “shkolla” të qepjes e qëndisjes. Fotot e shumta të familjes Marubi, bashkë me koleksionet etnografike, dokumentojnë qartë hartën vizuale të stileve që lëviz nga eleganca e jelekut qytetar te solemniteti i kostumit të dasmës. Dekori që përdorej për zbukurimin e veshjeve nuk ishte vetëm estetik pasi ai komunikonte moshën, gjendjen civile, pozitën ekonomike dhe përkatësinë krahinore. Për një nuse, kostumi i dasmës ishte shfaqja e kulmit të mjeshtërisë dhe e krenarisë familjare. Kostumi ruhej në arkë, riparohej e riqepej dhe shpesh i kalonte brezave si relike e gjallë. Stolisja e rrobave dhe e armëve me filigran ishte gjithashtu një kërkesë e kohës. Terzinjtë bashkëpunonin rëndom me argjendarë sepse paftat e brezave, qostekët e sahatit, kopsat e argjendta dhe aplikimet me tel të hollë i jepnin kostumit një shkëlqim tjetër.

Mesazhi

dhe i Elbasanit ekspozojnë veshje origjinale, shpjegojnë teknikat e punimit dhe dokumentojnë variantet krahinore. Këto institucione janë klasa të hapura ku fëmijët e të rriturit mund të “lexojnë” shenjat e së shkuarës. Në shumë qytete, artizanë të shumtë vazhdojnë të qepin e të qëndisin me porosi. Pazari i Krujës shquhet për punishtet ku ende sot prodhohen veshje, qeleshe e papuçe sipas motiveve dhe teknikave të vjetra. Me një qasje bashkëkohore, mjaft stilistë dhe trupa skenike përdorin elemente tradicionale të veshjeve në kohëra të reja. Kjo është një dëshmi se kjo trashëgimi nuk është muze e mbyllur, por një praktikë që jeton e përshtatet me kohën.

Kuptimi në Kontekstin e Sotëm

Sot kostumi popullor është i pranishëm dhe i kërkuar. Muzeu Etnografik i Krujës, ai i Kavajës dhe i Elbasanit ekspozojnë veshje origjinale, shpjegojnë teknikat e punimit dhe dokumentojnë variantet krahinore. Këto institucione nuk janë vetëm vitrina, ato janë klasa të hapura ku fëmijët e të rriturit mund të “lexojnë” shenjat e së shkuarës. Në terren, artizanë të shumtë vazhdojnë të qepin e të qëndisin me porosi. Pazari i Krujës shquhet për punishtet ku ende sot prodhohen veshje, qeleshe e papuçe sipas motiveve dhe teknikave të vjetra. Me një qasje bashkëkohore mjaft stilistë dhe trupa skenike përdorin elemente tradicionale në krijime të reja. Kjo është një dëshmi se kjo trashëgimi nuk është muze e mbyllur, por një praktikë që jeton e përshtatet me kohën.

Bibliografia

  • Andromaqi Gjergji Veshjet shqiptare në shekuj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2019.
  • Zija Shkodra, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë 1984
×