Konkurs Kombëtar për nxënësit e Shkollave në Shqipëri “Trashëgimia që Jeton”

Konkursi kombëtar “Trashëgimia që Jeton” është një konkurs që synon të angazhojë nxënësit e shkollave nga e gjithë Shqipëria në eksplorimin, dokumentimin dhe interpretimin krijues të trashëgimisë kulturore jomateriale, duke nxitur ndërgjegjësimin dhe vlerësimin për traditat lokale, folklorin, historitë gojore dhe praktikat kulturore të komuniteteve në Shqipëri.

 

Konkursi do të krijojë një hapësirë ku të rinjtë mund të shprehin identitetin kulturor përmes formave artistike dhe digjitale bashkëkohore, duke ndërtuar ura lidhëse mes trashëgimisë tradicionale dhe vazhdimësisë në modernitet.

 

Konkursi do të organizohet në kuadër të projektit “Heritage is our Brand”, i zbatuar nga DMO Albania në partneritet me EU Policy Hub, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Koncepti

“Trashëgimia që Jeton” do t’i ftojë nxënësit të zbulojnë histori, zakone, legjenda, rite, këngë, mjeshtëri artizanale dhe elementë të tjerë të trashëgimisë kulturore jomateriale nga komunitetet e tyre dhe t’i interpretojnë ato në mënyrë krijuese përmes formave të ndryshme artistike dhe inovative.

 

Fokusi i konkursit nuk do të jetë vetëm dokumentimi i trashëgimisë, por interpretimi personal dhe krijues i saj nga të rinjtë dhe fëmijët duke e bërë trashëgiminë kulturore më të afërt dhe më të kuptueshme për brezat e rinj.

 

Gjithashtu, konkursi do të promovojë përdorimin e mjeteve digjitale dhe metodave bashkëkohore të komunikimit për ta bërë mësimdhënien dhe përfshirjen kulturore më interaktive dhe gjithëpërfshirëse.

Zhanret e historive

Zhanret e historive do të bazohen kryesisht në historitë e prezantuara në faqen  www.albaniaheritage.com por dhe histori, zakone, tradita dhe rituale të komuniteteve lokale.

Kategoritë e Konkursit

Nxënësit do të kenë mundësi të aplikojnë në një nga kategoritë e mëposhtme:

Ese/tregim

Reflektim, analizë ose interpretim mbi një element të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Teater/Shfaqje

Histori të bazuara në folklor, legjenda ose tradita lokale.

Dizajn Grafik

Posterë, ilustrime, komikë, identitet vizual ose forma të tjera artistike.

Multimedia

Video të shkurtra, animacione, ose përmbajtje audiovizuale kreative ose forma të tjera të interpretimit kulturor.

Pjesëmarrja

Konkursi do të jetë i hapur për të gjitha shkolllat në Shqipëri, për arsimin 9-vjeçar dhe arsimin e mesëm.

Pjesëmarrja mund të jetë:

  • Individuale
  • Në grup

Faza I – Konkursi

Qershor – Tetor 2026

Në kuadër të kësaj faze do të zhvillohen aktivitetet informuese, orientuese dhe procesi i konkursit me nxënësit dhe mësuesit.

Aktivitetet do të fokusohen në:

  • promovimin e konkursit
  • përdorimin e mjeteve kreative dhe digjitale në punën me nxënësit;
  • organizimin e info-sesioneve në shkolla;
  • zhvillimin dhe dorëzimin e punimeve nga nxënësit sipas kritereve të përcaktuara në thirrje.

Faza II – Vlerësimi dhe Ndarja e Çmimeve

Tetor – Nëntor 2026

Në këtë fazë do të realizohet procesi i vlerësimit të punimeve të dorëzuara nga nxënësit. Punimet do të shqyrtohen nga një juri profesionistësh nga fusha e kulturës, artit dhe edukimit, bazuar në kriteret e përcaktuara të konkursit.

Aktivitetet kryesore të kësaj faze përfshijnë:

  • shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve;
  • shpalljen e fituesve dhe ndarjen e çmimeve për nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse.

Vlerësimi dhe Çmimet

Punimet do të vlerësohen bazuar në:

  • kreativitetin dhe origjinalitetin;
  • lidhjen me trashëgiminë kulturore jomateriale kombëtare;
  • cilësinë artistike dhe teknike;
  • ndikimin edukativ dhe kulturor.

Çmimet do të përfshijnë:

Certifikata vlerësimi

Çmimi i Parë 200 Eur

Çmimi i Dytë 150 Eur

Çmimi i Tretë 100 Eur

Gjithashtu, fituesit mund të përfshihen në aktivitete dhe nisma të tjera që lidhen me promovimin e trashëgimisë kulturore.

Për detaje dhe informacione mbi konkursin mund të kontaktoni në info@eupolicyhub.eu
Linku I Aplikimit: https://forms.gle/UCRhbc6tmVcJ2dEx6
Afati i Aplikimit: 15 Tetor 2026