Antigonea, qyteti që ka shpirtin e një gruaje
Ndërsa qëndronte në pallatin e mbretit Ptoleme, Pirron e çonin herë pas here
mendimet në një vend të largët, aty ku kishte kaluar dhjetë vitet e fëmijërisë së tij,
në mbretërinë e Taulantëve. Nuk e dinte pse, por në ëndrrat e tij gjendej vazhdimisht
atje, nën kujdesin e mbretit Glaukia.
Kur babai i tij, Eakidi, u largua nga froni si pasojë e një kryengritjeje të madhe, Pirroja,
vetëm dy vjeç, ishte dërguar nën mbrojtjen e mbretit të Taulantëve. Mbreti Glaukia, i
cili ishte i martuar me hallën e tij, e kishte marrë nën mbrojtjen e vet dhe nuk e kishte
dorëzuar, pavarësisht presioneve dhe shpërblimeve që i ishin ofruar për ta bërë këtë.
Pirroja e kishte kaluar gjithë fëmijërinë e tij në atë vend, i cili i qe dukur më i bukuri
në botë. Edhe më vonë, pavarësisht shumë vendeve ku kishte shkelur, ai vazhdonte ta
adhuronte atë bukuri dhe ta ruante me dashuri në kujtesën e tij.
Kujtonte me hollësi luginat, lëndinat e gjera të mbuluara me atë bar që dukej sikur
kishte të njëjtën gjatësi kudo, si të ishte prerë me gërshërë. Mes gjelbërimit shquheshin
lule shumëngjyrëshe, të shpërndara mbi lëndina si një qëndisje e bukur që zbuste
peizazhin përreth.