Antigonea, qyteti që ka shpirtin e një gruaje

Ndërsa qëndronte në pallatin e mbretit Ptoleme, Pirron e çonin herë pas here mendimet në një vend të largët, aty ku kishte kaluar dhjetë vitet e fëmijërisë së tij, në mbretërinë e Taulantëve. Nuk e dinte pse, por në ëndrrat e tij gjendej vazhdimisht atje, nën kujdesin e mbretit Glaukia. Kur babai i tij, Eakidi, u largua nga froni si pasojë e një kryengritjeje të madhe, Pirroja, vetëm dy vjeç, ishte dërguar nën mbrojtjen e mbretit të Taulantëve. Mbreti Glaukia, i cili ishte i martuar me hallën e tij, e kishte marrë nën mbrojtjen e vet dhe nuk e kishte dorëzuar, pavarësisht presioneve dhe shpërblimeve që i ishin ofruar për ta bërë këtë. Pirroja e kishte kaluar gjithë fëmijërinë e tij në atë vend, i cili i qe dukur më i bukuri në botë. Edhe më vonë, pavarësisht shumë vendeve ku kishte shkelur, ai vazhdonte ta adhuronte atë bukuri dhe ta ruante me dashuri në kujtesën e tij. Kujtonte me hollësi luginat, lëndinat e gjera të mbuluara me atë bar që dukej sikur kishte të njëjtën gjatësi kudo, si të ishte prerë me gërshërë. Mes gjelbërimit shquheshin lule shumëngjyrëshe, të shpërndara mbi lëndina si një qëndisje e bukur që zbuste peizazhin përreth.

Degjo Legjendën

Me çfarë ngjyrash do e përfytyroje ti këtë histori? Shkarko dhe ngjyros