Lulja shëruese e mbretit Gent
Mbreti Gent kishte dy ditë që ishte larguar nga kështjella. Të gjithë po e kërkonin
dhe pyesnin me habi se ku ishte zhdukur vallë?
Etleva, vajza e mbretit të Dardanisë dhe gruaja e mbretit Gent, e dinte se ku ndodhej i
shoqi. Në kohë paqeje, ai zgjidhte të endej nëpër male, fusha e livadhe, duke mbledhur
lloj-lloj bimësh, nga të cilat nxirrte melhem, lëngje e vajra shëruese, që më pas
përdoreshin për të kuruar sëmundje të ndryshme. Por kësaj here, udhëtimi i tij kishte
një tjetër qëllim. Ai ishte vënë në kërkim të një vegimi, që perënditë ia kishin dërguar
në ëndërr. Mbreti Gent gjithmonë dinte si t’i habiste të gjithë, madje edhe gruan e tij.
Shumica mendonin se një mbret duhej të ishte thjesht një luftëtar i fortë, i zënë me
beteja, me forcimin e mureve mbrojtëse të kështjellave, me forcimin e flotës dhe me
rekrutimin e luftëtarëve të rinj, për ta bërë ushtrinë sa më të fortë. Por mbreti Gent nuk
mjaftohej me kaq. Mendja e tij shihte më larg se fusha e betejës.