Liqeni i lutjeve dhe i zambakëve
Gjithçka kishte rënë në qetësi. Dielli ishte larguar dhe po ia linte vendin errësirës.
Era, që kishte fryrë gjatë gjithë ditës, tashmë kishte pushuar dhe dukej sikur as
gjethet nuk lëviznin më. Fëmijët i kishin lënë lojërat për ditën e nesërme dhe tani
qëndronin në shtëpitë e tyre, duke ndier misterin e kësaj mbrëmjeje. Ata e dinin se
diçka e çuditshme do të ndodhte, por nuk arrinin ta shpjegonin dot. Me dëlirësinë e
tyre, e pranonin këtë ndjesi dhe fantazonin në heshtjen e mbrëmjes.
Nata e fundit e pranverës në krahinë ishte nata më e veçantë. Ajo mbulohej nga një tis
misterioz dhe i mrekullueshëm, që e bënte gjithçka përreth të dukej ndryshe.