Fatmir Juka
Rreth Artistit
Fatmir JUKA është pjesë e gjeneratës së re të artistëve bashkëkohorë shqiptarë. Pas përfundimit të studimeve të larta për histori në Shkodër dhe pikturë në Tiranë, ai shpërfaqi një tjetër aftësi në rolin e kuratorit të disa ekspozitave të artistëve të ndryshëm në Shqipëri dhe Kosovë; bashkë-kurator dhe konceptues brendishë muzeale, si dhe bashkë-themelues i revistave të ndryshme kushtuar historisë dhe artit.
Xhubleta e Dalun N’dritë Skulpturë-instalative
Abstrakti
Instalacioni është konceptuar si një element tredimensional që riprodhon formën e Xhubletës, por pa trupin e gruas brenda saj — një simbol i mungesës që flet për praninë dhe vazhdimësinë. Struktura është ndërtuar nga fletë metalike të trasha, të errësuara dhe të perforuara, të kombinuara me elemente plastike që përfaqësojnë hajmalitë, brezat, shiritat dekorativë dhe motive të tjera tradicionale. Këto shenja semantike janë marrë dhe studiuar mbi bazën e modeleve autentike të Xhubletës, të ekspozuara në muzetë e Shqipërisë së veriut. Brenda trupit të skulpturës është instaluar një sistem ndriçimi LED, i cili, përmes dritës, plotëson ndjesinë e trupit të munguar, duke e mbushur atë me “energji jetësore”. Drita që depërton përmes hapjeve të motiveve dekorative e bën veprën të dukshme nga larg gjatë natës, ndërsa vëllimi i saj projekton ndriçim vertikal drejt qiellit. Ngjyra dhe qëndrimi monumental, i orientuar përpara, i figurës përforcojnë dinamizmin e përvojës së shikuesit.
Sistemi i ndriçimit do të lidhet me sensorë që dallojnë kalimin nga dita në natë, duke krijuar një transformim të butë të dritës, i cili përcjell rrjedhshmërinë e kohës, magjinë e simboleve dhe kureshtjen e shikuesit për të zbuluar kuptimin e tyre.
Vendi
Bajze, Malesi e Madhe