Ngjarja
– Ejani, fëmijë... është ora e gjumit! – Gjysh, gjysh, na e trego edhe një herë historinë e mbretit Gent dhe lules çudibërëse që ai zbuloi.
Në brigjet e thepisura të liqenit të Labeatëve, mes maleve që ruajnë në heshtje kujtimet e shekujve, mbretëronte Genti, biri i Ardianëve dhe mbret i Ilirëve. Kur mori kurorën nga i ati, Pleurati, Genti trashëgoi një mbretëri të rrethuar nga armiq. Në brigjet e Adriatikut, romakët kishin nisur marshimin, duke pushtuar një nga një mbretëritë fqinje, si dallgë që godasin pa mëshirë bregun. Por Genti, krenar, refuzoi t’u nënshtrohej. Ushtria e tij kishte luftëtarë trima dhe një flotë të fuqishme. Anijet Liburne, të lehta e të shpejta, çanin detin si shigjeta dhe sulmonin befas, duke lënë pas jehonën e trimërisë ilire.
Genti ishte një udhëheqës i mençur që e njihte fuqinë e dijes po aq sa të shpatës. E adhuronte natyrën dhe shpesh u thoshte bashkëluftëtarëve: “Lufta fitohet më parë me mendje të kthjellët dhe trup të shëndetshëm, pastaj me armë”.
Një ditë, duke ecur në një shteg të thepisur, vuri re një lule të pazakontë, me petale si rrezet e diellit, që qëndronte e vetme mes shkëmbinjve. Mbreti u përkul, e soditi gjatë, dhe në atë çast ndjeu se ajo nuk ishte një lule e zakonshme. Ajo ishte lulja e duhur. Prej rrënjëve të saj u përgatit një melhem që shëroi plagët e shumë luftëtarëve në betejat e përgjakshme kundër romakëve. Nuk vonoi, dhe fama e saj doli përtej trojeve ilire. Ajo që ndër ilirë njihej si “lulja e Mbretit”, më vonë mori emrin Gentiana.
Pas vdekjes së Gentit në mërgim, kur Roma arriti të pushtonte Ilirinë, Gentiana vijoi të lulëzonte në lartësitë e maleve, atje ku ajri është i pastër dhe toka ruan gjurmët e të parëve. Kjo lule ishte dhurata e mbretit për botën. Ajo mbart kujtimin e një epoke kur Iliria qëndronte krenare. Është simbol i urtësisë së Gentit dhe i dashurisë së tij për tokën dhe njerëzit. Sa herë që Gentianat çelin dhe veshin faqet e maleve, zbret një fllad i lehtë që pëshpërit: lavdia e Gentit është gjithmonë aty.
Gjyshi u ngrit. Me duart që i dridheshin nga pesha e viteve, i mbuloi të vegjlit me kujdes. Ata tashmë ishin futur në botën e ëndrrave: Liburni trim dhe i mençur luftonte sypatrembur në dritën e hënës dhe yjeve, ndërsa Gentiana fluturonte nga mali në mal, për të shëruar plagët e luftëtarëve që mbronin trojet e të parëve.

Nuk ka përmbajtje audio në dispozicion. Shtoni një URL audio në panelin e administrimit.
Nuk ka përmbajtje video në dispozicion. Shtoni një URL video në panelin e administrimit.
Periudha Kohore
Shek. II p.e.s  
Përmbledhja Historike e Periudhës
Genti, djali i Pleuratit II, njihet si mbreti i fundit i mbretërisë ilire të Ardianëve dhe qëndroi në fronin e sundimtarit rreth viteve 181–168 p.e.s., në një periudhë të trazuar historikisht kur Iliria ishte nën presionin e dy fuqive të kohës, nga njëra anë Roma, nga tjetra Maqedonia. 
Mbreti Genti njihet për përpjekjet e tij për të ruajtur pavarësinë e Ilirisë, ndërkohë që Republika Romake zgjeronte ndikimin e saj në territoret ballkanike. Gjatë Luftës III Maqedonase kundër Romës (171-168 p.e.s.), ai hyri në aleancë me Perseun, mbretin e Maqedonisë. Genti i shpalli luftë Romës, por aleanca me Perseun dështoi dhe ushtria e Gentit u mposht nga romakët në betejën e Shkodrës – kryeqendra e labeatëve. 
Ndër dëshmitë e shumta arkeologjike që i përkasin periudhës së mbretërimit të tij, në qytetet e Shkodrës dhe të Lisit (Lezha) u prenë dhe qarkulluan disa lloje monedhash me emrin dhe portretin e tij.
Kushtet që Sollën Lindjen e Ngjarjes
Burimet e shkruara flasin për rëndësinë e figurës së mbretit Gent si mbështetës i kulturës dhe shkencës, sidomos i mjekësisë dhe botanikës. Në veprën e tij Plini Plaku (Naturalis Historia, 25.34), veçanërisht në librin XXV “Historia natyrore e bimëve të egra”, dëshmon se Genti  qe i pari që njohu dhe përdori vetitë kuruese të rrënjës së bimës Gentiana, e njohur si  Gentiana Lutea.  
Mesazhi
Mbret Genti, i fundit mbret i ilirëve, mishëron qëndresën e një kombi të lashtë përballë ekspansionit të Republikës Romake, e cila do të shndërrohej më pas në themeluesen e qytetërimit perëndimor. Figura e tij i tejkalon kufijtë e historisë ushtarake. Lidhja e tij me natyrën, përkujdesja për dijen dhe trashëgimia e bimës Gentiana e ngulitin atë në kujtesën kulturore popullore si një simbol të urtësisë, qëndresës dhe ndërveprimit të njeriut me tokën që e mban gjallë. Ky dimension shumëplanësh e vendos Gentin si një figurë kyçe në trashëgiminë historike e shpirtërore të shqiptarëve.
Kuptimi në Kontekstin e Sotëm
Figura e Gentit përfaqëson një ndër shprehjet më të qarta të identitetit politik dhe kulturor të ilirëve në fazën përfundimtare të ekzistencës së tyre si njësi të organizuara shtetërore. Nëpërmjet tij, historia shqiptare përfiton një pikë referimi për të kuptuar mënyrën se si formësohej përkatësia në antikitet – përmes gjuhës, institucioneve, territorit dhe lidhjes shpirtërore me tokën. Edhe pse ende nuk mund të flasim për vetëdije kombëtare në kuptimin e sotëm modern, te Genti gjejmë një vetëdije të qartë për unitetin politik dhe interesin e përbashkët të ilirëve, si dhe për rrezikun që u kanosej nga një fuqi ekspansioniste sikurse ishte Roma. Në këtë kuptim, Genti është simbol i një identiteti ilir që përpiqej të ruante kohezionin përballë asimilimit. Lidhja e tij me natyrën, mbështetja për dijen dhe vlerat e vetëqëndresës i japin kësaj figure një përmasë të veçantë në trashëgiminë shpirtërore shqiptare. Sot, ai kujtohet jo vetëm si një figurë historike, por si një nyje e rëndësishme e kujtesës kolektive që ndihmon në ndërtimin e një vetëdijeje të thelluar për rrënjët e identitetit shqiptar dhe lidhjen me civilizimin ilir si pjesë themelore e historisë së vendit.  
Bibliografia
- Islami, Selim, Prerjet monetare të Skodrës, Lisit dhe Gentit, Iliria 2 (1972), f. 351-373
- Cabanes, Pierre, Les Illyriens de Bardylis à Genthios: IVe au IIe siècle avant J.-C., Paris 1988
- Gjongecaj, Shpresa, Emisione të reja monetare nga qyteti antik i Shkodrës (Scodra), Iliria 40 (2016), f. 97-109. DOI : https://doi.org/10.3406/iliri.2016.2517
- Wilkes, J. John, The Illyrians, Oxford 1992
- Grup autorësh, Ilirët dhe liria tek autorët antikë, Prishtinë 1979